Prishtina me “Librari të Gjallë” këtë të shtunë

Prishtina me “Librari të Gjallë” këtë të shtunë

Një aktivitet leximi dhe bashkëbisedimi i një formati të veçantë, i cili fillimisht ishte zhvilluar në vitin 2000 në Danimarkë, do të bëhet këtë fundjavë në Prishtinë.

Organizata ETEA, e cila kohë më parë organizoi Ndejën e Leximit në Heshtje, ka njoftuar se do të zhvillojë aktivitetin e Librarisë së Gjallë, që nënkupton mundësinë e bashkëbisedimit disa minutësh me një person që ka histori për të treguar dhe motivuar të tjerët.

Agon Ahmeti nga kjo organizatë, ka sqaruar se “Living Library” do të zhvillohet paralelisht me aktivitetin tashmë të njohur të ndejës së leximit të shtunën nga ora 15 në një lokal në Prishtinë.

“Living Library është një ‘bibliotekë e gjallë’, në të cilën ju nuk do të huazoni dhe shfletoni libra, ju faktikisht e ‘huazoni’ një person; aty libër është njeriu dhe leximi bëhet përmes bisedës individuale me personin për një kohë të caktuar. Në këtë rast z. Mentor Mripa, si një libër i mirë, ka shumë gjëra interesante dhe motivuese për t’i ndarë me ju”, thuhet në përshkrimin e eventit.

Ahmeti ka thënë se kanë ftuar Mripën pasi që përkundër vështirësive me të cilat përballet, ai ka arritur të ketë suksese në karrierën e tij.

Aktivitet i ngjashëm si ky ka filluar të zhvillohet fillimisht në Danimarkë dhe qëllimi i saj është që të sfidojë paragjykimet dhe stereotipet.

Organizata ETEA ka zhvilluar një numër aktivitetesh që synojnë nxitjen e leximit në shoqëri dhe ndërgjegjësimin social rreth rëndësisë së librit./Insajderi.com