Princi Charles viziton Kosovën

Princi Charles viziton Kosovën

Ambasada britanike në Kosovë ka njoftuar se Princi i Uellsit, Charles, do të vizitojë Kosovën më 18 mars.  Vizita e tij do të bëhet në kuadër të një vizite që ai do t’i bëjë Ballkanit nga data 14 deri më 19 mars.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Princit të Uellsit në Kosovë pas asaj të vitit 1999 dhe në vizitë shoqërohet nga Dukesha e Cornwall.

Përmes një komunikatë për media, ambasada ka njoftuar se ai do të takohet me Presidenten Atifete Jahjaga, me të cilën do të marrin pjesë  në ceremoninë përkujtimore për të pagjeturit e luftës.

“Lartmadhëria e Tyre do të vendosin lule në Memorialin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit, në Prishtinë. Dukesha e Cornwall dhe Presidentja Jahjaga do të takohen edhe me të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga Presidentja”, njofton Ambasada Britanike në Prishtinë.

Po ashtu, Princi i Uellsit do të vizitojë edhe Prizrenin dhe Fushë Kosovën për të parë “se si grupet e margjinalizuara janë duke u ndihmuar përmes fuqizimit arsimor dhe ekonomik”, potencon njoftimi.”/Insajderi