Presidenti Thaçi është prekur pasi ka parë prapambetjen në veri të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshkruar përmes një postimi në Facebook vizitën e tij të kësaj jave në Jarinjë, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës.

Presidenti Thaçi është prekur pasi ka parë prapambetjen në veri të Kosovës

Sipas Thaçit, ai ka parë për së afërmi “konsolidimin e shtetit” në atë pjesë që ka ardhur si pasoje e qasjes së Kosovës ndaj promovimit të dialogut e bashkëpunimit.

“Ata që një kohë ishin në barrikada dhe pengonin lëvizjen e lirë, sot janë pjesë e institucioneve të Kosovës ku kontribuojnë për komunitetet e tyre, por edhe për tërë Kosovën. Sot, Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës punojnë krejt normalisht edhe në pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës, si në çdo pjesë të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Qytetarët atje lëvizin më lirshëm se kurdo. Ky integrim dhe ky normalizim i gjendjes në pjesën veriore të Kosovës është arritur falë dialogut dhe bashkëpunimit që promovojmë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Thaçit i ka lënë po ashtu përshtypje edhe natyra e bukur, por i ka penguar fakti që një pjesë të kësaj ane, që sipas tij ka mbetur prapa në zhvillim.

“Por, ishte e dhimbshme të shihje se fshatrat dhe vendbanimet kishin mbetur prapa në zhvillim krahasuar me pjesët e tjera të vendit tonë. Është ky një mësim tjetër i dëmeve që sjell ekstremizmi dhe nacionalizmi. Kjo pjesë e Kosovës ka nevojë për sa më pak politikë dhe për sa më tepër zhvillim”, ka shkruar Thaçi.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mos kontrollohet në mënyrë efektive nga institucionet e vendit./Insajderi.com