Presidenti Thaçi flet pas takimit me Vuçiqin

31.08.2017 11:28
Presidenti Thaçi flet pas takimit me Vuçiqin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur pas takimit që ka zhvilluar sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se aty është biseduar rreth mundësisë së vazhdimit të dialogut dhe përfundimit sa më parë të tij me njohjen e Republikës së Kosovës.

“Ka qenë e nevojshme që të fillohet dialogu dhe të përfundojë sa më shpejt, me një marrëveshje të standardeve evropiane”, ka thënë para gazetarëve pas takimit.

Presidenti Thaçi ka thënë se në takim u bisedua për temat që kanë mbetur të hapura, të përmbyllen njëherë e përgjithmonë.

“Mes Serbisë dhe Kosovës tash është një komunikim më i mirë sesa përpara, por është një ‘status quo’. Kështu mund ta mbajmë peng njëra-tjetrën por do t’i dëmtojmë qytetarët”, ka thënë më tej ai.

“Jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane, por kemi nevojë për ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe njohjen mes dy shteteve”, ka shtuar Thaçi, raporton Insajderi.

Ai ka thënë se Kosova pret që dialogu të jetë me substancial në javët e ardhshme.

I pyetur rreth diskutimeve në Serbi për pajtim me Kosovën dhe mundësinë e ndarjes së saj, presidenti Thaçi ka thënë se nuk ka dhënë opinion për këtë debat, duke shtuar se kjo është çështje e brendshme e Serbisë

“Nuk jam shprehur për debatet që janë duke u bërë në Serbi për ndarjen e Kosovës, sepse është çështje e tyre”, ka shtuar ai./Insajderi.com