Presidenti Thaçi dënon dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë

Presidenti Thaçi dënon dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër të Lipjanit, aty ku para disa ditëve ai ka kryer homazhe.

“Është i dënueshëm dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër”, është shprehur presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “çdokush që ia do të mirën Kosovës e dënon këtë akt të papranueshëm”.

Ai ka thënë se incidentet si ky cenojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike që po promovon Kosova, shkaktojnë frikë, zemërim e urrejtje dhe për këto nuk ka nevojë askush në Kosovë, njofton Presidenca përmes një komunikate për media.

“Duke promovuar dialogun, pajtimin, bashkëpunimin, luftimin e çdo ekstremizmi, jemi pranuar si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm duke i promovuar këto vlera e ruajmë vendin që e meritojmë në bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të lejojë të pësojë për shkak të një pakice ekstremiste.

Në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit, thuhet se viktimat i shkaktuan “terroristët shqiptarë”.