Presidenti polak: Rusia po nxitë një luftë të ftohtë të re

Presidenti polak: Rusia po nxitë një luftë të ftohtë të re

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda ka deklaruar se Rusia po nxit një Luftë të Ftohtë të re përmes veprimeve të veta në Ukrainë dhe Siri, njofton Reuters, raporton Insajderi.

Duke iu përgjigjur komenteve të kryeministrit rus, Medvedev-it, Duda ka folur qartë në intervistë duke thënë se veprimet e rusëve do të dërgojnë botën në një luftë të re të ftohtë.

“Nëse z. Medvedev flet për Luftë të Ftohtë, atëherë shihni veprimet ruse: është e qartë se kush po kërkon një Luftë të Ftohtë të re”, tha Duda.

“Nëse dikush ndërmerr aktivitete agresive ushtarake në Ukrainë dhe në Siri, nëse dikush përforcon praninë ushtarake pranë fqinjëve të tij, atëherë ne kemi një përgjigje të qartë në lidhje me atë se kush kërkon të nisë një Luftë të Ftohtë të re. Sigurisht, nuk është Polonia apo aleanca e NATO-s”, shtoi më tej presidenti i Polonisë.

Polonia është prej kohësh një kritike e ashpër e veprimeve ruse, dhe presidenti Duda, sipas Reuters-it, ka përsëritur ambiciet e vendit të tij për një prani “intensive” të NATO-s në territorin polak.