Presidenti i Meksikës, vendin e të cilit Donald Trump kërcënon ta ndajë nga Amerika me mur, i përcolli republikanit urimet e tij për zgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë d" />

Presidenti i Meksikës bisedë “të ngrohtë” telefonike me Trump

Presidenti i Meksikës bisedë “të ngrohtë” telefonike me Trump

Presidenti i Meksikës, vendin e të cilit Donald Trump kërcënon ta ndajë nga Amerika me mur, i përcolli republikanit urimet e tij për zgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe tha se do të kërkojë bashkëpunimin me të në të mirë të dy vendeve.

Fitorja befasuese e Trump bëri që peso-ja meksikane të rrëshqiste në pikiatë, ndikimi i parë ky i drejtëpërdrejtë i zotimeve të presidentit të ri amerikan për ngritjen e murit dhe dëbimin e emigranteve të paligjshëm. Por Enrique Pena Nieto tha se biseda telefonike që pati me Trump pas fitores ishte e përzemërt.

“Fola me presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i përcjellë urimet e mia për fitoren e tij. Në urime përfshiva edhe pjesëtarët e familjes së tij, të cilët e kanë shoqëruar përgjatë gjithë fushatës. Mund të them se ishte një bisedë e ngrohtë dhe me respekt reciprok”, deklaroi Nieto.

Nieto tha gjithashtu se, kishte diskutuar me Trump një axhendë të re pune, në të cilën përfshihet çështja e sigurisë dhe shtoi se, nga ana e tij do të përpiqet të mbrojë të drejtat e shtetasve meksikanë në të gjithë botën.

“Ne ramë dakord që dy administratat të qëndrojnë në kontakt për të përcaktuar një axhendë të re pune ku përfshihen interesat e përbashkëta, si siguria dhe zhvillimi e prosperiteti i popujve tanë”, vijoi Nieto, shkruan Tch.

Presidenti meksikan shtoi se ra dakord me presidentin e zgjedhur që të takohen gjatë periudhës së kalimit të pushteteve për të përcaktuar me saktësi drejtimin që duhet të marrin dy vendet.

Nieto ka qenë i kritikuar në shtypin lokal për mbajtjen e një takimi parazgjedhor me Trump, që bëri që miliarderi të fshinte nga fjalori i tij kritikat për meksikanët.