Presidenti i Komisionit Evropian propozon një seli ushtarake për Evropën

Presidenti i Komisionit Evropian propozon një seli ushtarake për Evropën

Bashkimi Evropian ka nevojë për një seli ushtarake, për të pasur mundësi të punojë drejt një force të përbashkët ushtarake. Kështu ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker përpara europarlamentarëve në Strasburg.

Ai tha se mungesa e një “strukture të përhershme” rezulton në shpërdorimin e parave në misione të shumta.

Një pjesë e mirë e fjalimit të përvitshëm mbi gjendjen e Bashkimit Evropian iu dedikua votës së papritur të Britanisë së Madhe për daljen nga BE-ja.Ai këmbënguli se blloku nuk është në rrezik, ndërkohë që bëri thirrje që negociatat për “Brexit”-in të fillojnë e të mbarojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ishte pikërisht rezultati i referendumit, ai që nxiti më shumë shtysën për të planifikuar një bashkëpunim më të gjerë në fushën e mbrojtjes, sepse Britania ka kundërshtuar gjithmonë potencialin e një konflikti interesash me NATO-n, njofton tch. Por Juncker tha se një forcë e përbashkët ushtarake “do të ishte plotësuese e NATO-s”.

“Më shumë mbrojtje në Evropë nuk do të thotë më pak solidaritet transatlantik”.

Sipas tij, një fond i përbashkët për mbrojtjen evropiane do të stimulonte kërkime ushtarake dhe zhvillime më të mira.