Presidenti: Çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet në Bruksel

03.11.2017 15:05
Presidenti: Çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të personave të pagjetur nga komuniteti shqiptar dhe serb, Bajram Çerkini dhe Milorad Trifunoviq, sot sërish ka folur për çështjen e të pagjeturve.

Presidenti Thaçi ka theksuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të marrë një kualitet e dinamikë të shtuar dhe në kuadër të tij të përfshihet edhe çështja e të pagjeturve.

Ndërsa, përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të personave të pagjetur nga komuniteti shqiptar dhe serb, Bajram Çerkini dhe Milorad Trifunoviq, e njoftuan presidentin Thaçi për Qendrën Burimore për të pagjeturit dhe për suksesin e shoqatave në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në mes të familjeve të të pagjeturve të të gjitha etnive.

Presidenti Thaçi u shpreh se çështja e pagjeturve gjithmonë është në agjendën e institucioneve dhe garantoi se institucionet e shtetit të Kosovës do të kërkojnë edhe më me ngulm që të ketë rezultate konkrete në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të pagjetur.