Presidenca paguan jashtëligjshëm stafin mbështetës të Thaçit

Presidenca paguan jashtëligjshëm stafin mbështetës të Thaçit

Ani pse nuk janë shërbyes civil, stafi mbështetës i Presidentit të Kosovës ishte trajtuar si i tillë. Jo për nga numri i punëve ose orari i punës, por për nga shtesat që u janë paguar atyre. Insajderi ka gjetur se një shkelje e tillë e ligjit është evidentuar nga Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës në auditimin që i ka bërë Zyrës së Presidencës për vitin 2017.

Sipas këtij raporti, Zyra e Presidentit Hashim Thaçi ka paguar stafin mbështetës të tij sikurse të ishin punëtorë të shërbimit civil. Përpos kësaj, ky staf mbështetës ka marrë edhe shtesa.

Stafi mbështes i Presidentit nuk janë shërbyes civil siç e përcakton LSHC dhe rregullorja nr.02/2016 për strukturën organizative të Presidencës.

“Në fazën e ndërmjetme të auditimit, ne kemi vërejtur se stafi mbështetës (në tri raste) në payroll janë regjistruar si staf civil me koeficientin 9 (baza 523€) dhe një shtesë prej 272€. Si pasojë e trajtimit të stafit mbështetës si staf civil (në payroll), këta punonjës kanë përfituar shtesën e SHCK-së prej 30€ të shërbyesve civil”, thuhet në raportin e auditimit.

Por sipas këtij raporti, me rekomandimin e Zyrës së Auditorit, Presidenca kishte ndërmarrë masat e duhura (përmirësimin) për ndërrimin e statutit të stafit mbështetës në pajtim me vendimin e nxjerr nga Presidentit dhe miratimin nga MAP. Me vendimin e datës 12.07.2013, përcaktohen pagat dhe kompensimet e stafit të kabinetit të Presidentit, (i miratuar nga MAP me datë 15.08.2013). /Insajderi.com