Presidenca komenton refuzimin e tri partitve për takimin e nesërm

Presidenca komenton refuzimin e tri partitve për takimin e nesërm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën i pret në takim konsultativ përfaqësuesit e partive politike, konfirmojnë zyrtarët e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Por këtë ftesë, përfaqësuesit e tri subjekteve politike e kanë refuzuar.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe, kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje.

Kjo ftesë konsiderohet e panevojshme pasi vlerësohet se Thaçi ka mundur të thërrasë fillimisht seancën konstituive të Kuvendit, e më pas t’i takojë partitë politike për të diskutuar rreth formimit të institucioneve.

Por  Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ftesa e presidentit është e hapur për të gjitha subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës dhe Presidenca nuk ka kërkuar nga ta që ta konfirmojnë ardhjen.

“Ftesa është e hapur për të gjitha partitë politike dhe besojmë që të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në këtë takim. Nuk është kërkuar konfirmim prej asnjë partie politike”, ka thënë Arifaj.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se presidenti Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar, madje se ata nuk kanë obligim ligjor të jenë të pranishëm.

Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk do të jetë i pranishëm në këtë ftesë nga kreu i vendit.

“Si lider i LDK-së, nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.

Në takim nuk do të marrë pjesë as Lista Serbe. Kryetari i kësaj partie ka falënderuar presidentin Thaçi për ftesën, por ka thënë se nuk do të jenë në takim.

Rakiq u ka thënë mediave serbe se vendimi për koalicionin e ardhshëm do të vendoset në Beograd.

“Ne jemi të gatshëm për bisedime dhe dialogu nuk ka alternativë. Jemi të gatshëm për të biseduar mbi politikën e paqes. Nuk jemi të interesuar për pozita, por që serbët të kenë jetë më të mirë në Kosovë”, ka thënë ai.