Gjatë ditës së sotme Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ua ka dërguar medieve njoftimin e njëjtë të para dy jave.
Kjo ka ndodh me njoftimin për vizitën e Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Hoyt Brian Yee.
“Nesër, në orën 09:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit , përgjegjës për çështjet europiane dhe euroaziatike, Hoyt Brian Yee”, thuhet në njoftim.
Por i njëjti njoftim ishte dërguar para 13 ditësh po nga Zyra e Presidentit.
Presidenca ka sqaruar “ridërgimin” e komunikatave të vjetra, duke thënë se është bërë për shkak të problemeve në rrjetin shtetëror.
“Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës njofton mjetet e informimit se për shkaqe ende të paqarta, atyre u janë ridërguar vetvetiu nga rrjeti shtetëror disa njoftime dhe komunikata të vjetra”, thuhet në njoftim.
“Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës sqaron publikun se rrjeti i shërbimeve të IT-së së Presidencës së Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe ata tani janë duke punuar në identifikimin e problemit dhe rregullimin e rrjetit shtetëror, ku përfshihen edhe emailet zyrtare të presidencës”, thuhet më tej aty.
“Për të evituar lajthitjen e publikut, duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës, kërkon prej gazetarëve që të mos merren parasysh njoftimet dhe komunikatat e vjetra, të cilat në tekst e kanë edhe datën e publikimit të tyre”, përfundon njoftimi./Insajderi.com