“Pres që kjo Qeveri t’i ketë 101 zëvendësministra”

“Pres që kjo Qeveri t’i ketë 101 zëvendësministra”

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se partia e tij i ka dhënë 100 ditë kohë Qeverisë Haradinaj, që më pas të ketë reagim të fuqishëm opozitar.

Ai ka theksuar se pritja më e madhe nga ky ekzekutiv është që numri i zëvendësministrave të shkojë në 101.

“Kemi një qeveri që është marrë me kompensime financiare dhe blerje të qetësisë politike. Nuk mund të ketë stabilitet, paqe sociale dhe qetësi, duke ndërhyrë sikurse në rastin e Kumanovës, çështje e cila duhet të lihet në dorën e drejtësisë”, ka thënë Haziri gjatë një interviste për Telegrafin.

Sipas tij, kemi të bëjmë më një ekzekutiv ‘gllomaz’, e cila është konsumuese e madhe e buxhetit.

“Nëse flasim për zgjedhje të reja, unë mendoj se pasi të kryhen procedurat dhe betimi i kryetarëve të ri të komunave – do të zgjatë deri në fund të vitit. Janari e shkurti, ndonëse janë muaj të ftohtë, besoj së në aspektin politik nuk do të jenë të tillë”, ka shtuar Haziri.