Premtoi 120 mijë vende pune, Mustafa: Arrita krijimin e 40 mijë vendeve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se për dy vite në Kosovë janë krijuar plot 40.000 vende të reja të punës.

Premtoi 120 mijë vende pune, Mustafa: Arrita krijimin e 40 mijë vendeve

Krijimet e vendeve të reja të punës kanë qenë premtimet kryesore të partive politike të Kosovës, në fushatën elektorale për zgjedhjet e tetë qershorit të vitit 2014.

Edhe kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pati premtuar 120 mijë vende pune, pjesa më e madhe e të cilëve ishte paraparë të punësohen në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.

Pas rreth tre vitesh në pushtet, Mustafa thotë se për dy vjet të qeverisjes së tij ka arritur që të punësojë rreth 40 mijë veta.

Përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar me krenari për arritjet e qeverisë në krijimin e vendeve të reja të punës, derisa ka thënë se ekzekutivi ka arritur të krijojë 40,000 vende të reja të punës, për të cilat shifra Mustafa bazohet “në raporte të ndryshme”.

“Sipas European Commerce Registry Forum, ky raport i bizneseve të reja kundrejt atyre të mbyllura është më i miri në Evropë. Përderisa në Kosovë po rritet biznesi privat dhe po gjenerohen vende pune e rritje ekonomik, në disa vende të rajonit këto trende janë negative, që nënkupton se më shumë mbyllen biznese në krahasim me ato që hapen. Në anë tjetër, raporte të ndryshme konfirmojnë se në dy vjet kemi krijuar mbi 40.000 vende të reja të punës”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Mustafa ka thënë se qeveria ka konstatuar qëndrueshmëri financiare dhe fiskale, me një rritje ekonomike prej mbi 4 për qind për vitin 2015 dhe 106, derisa ka premtuar se në vitet e ardhshme kjo rritje do të jetë edhe më e madhe.

“Vazhdimisht kemi konstatuar se prioritet thelbësor i këtij koalicioni qeverisës është zhvillimi ekonomik. Kemi siguruar qëndrueshmëri financiare dhe fiskale me rritje stabile ekonomike prej mbi 4% për vitin 2015 dhe 2016, ndërkaq në vitet në vijim rritja do të jetë edhe më e madhe”, ka deklaruar Mustafa. /Insajderi.com