Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi po shfaqin kundërshti mes vete, por në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit ato kanë dhënë së paku një zotim të përbashkët.
Përfaqësues të këtyre partive kanë thënë se në rast se arrijnë të jenë fituese të zgjedhjeve, do të angazhohen për të miratuar një ligj për konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Të shtunën, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë në Mitrovicë se do ta pavarësojnë sistemin e drejtësisë nga ndikimet politike, duke u zotuar për miratimin e këtij ligji.
Të njëjtën ka përmendur dy herë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, fillimisht në ditën e parë të fushatës dhe sot në Therandë.
“Pasurinë e vjedhur do t’ua konfiskojmë. Të gjithë presin nga ne që me ia kthy Kosovës vjedhjet e 10 viteve të fundit. Ne jemi të vendosur që të ketë përfundimisht hetim për SHIK-un”, ka thënë Ymeri të mërkurën në Gjilan.
Para fillimit të fushatës zgjedhore, përfaqësues të LDK-së dhe Vetëvendosjes janë takuar disa herë, por ato nuk kanë arritur të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje koalicioni. Në fakt, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë para disa ditëve se mes dy partive ekzistojnë dallime.
Megjithatë, përfaqësues ët dy partive nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor./Insajderi.com