Premtimi i pa mbajtur i Shpend Ahmetit

Premtimi i pa mbajtur i Shpend Ahmetit

Zgjerim të rrjetit të “Termokosit” për dimrin që po vjen pati premtuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Por, banorët e lagjeve “Mati 1” e “Kalabria” në kryeqytet duhet që edhe këtë vit të gjejnë zgjidhje për t’u ngrohur gjatë dimrit, pasi projekti për zgjerimin e rrjetit të “Termokosit”, i paraparë të bëhet këtë verë, është shtyrë.

Në “Termokos” nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me këtë por kanë njoftuar se Komisioni Evropian, i cili financon këtë projekt, po zhvillon procedurat tenderuese për këtë projekt.

“Aktualisht, Komisioni Evropian është duke zhvilluar procedurat tenderuese për këtë çështje. Pas përfundimit të këtyre procedurave, në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe donatorët e tjerë të këtij projekti do të bëhen publike të gjitha detajet”, thuhet në përgjigjën që “Termokos” i ka dhënë televizionit Kohavision.

Në Komunën e Prishtinës thonë se fillimi i zgjerimit të rrjetit varet nga donatori.

Qytetarët e këtyre dy lagjeve thonë se kjo do t’u kushtoj atyre – pasi përsëri duhet të ngrohen me energji elektrike.

“Shumë keq dhe shumë vështirë; po duhet patjetër ta përdorim rrymën. E për ta përdorur rrymën ju po e dini se është shumë shtrenjtë”, tha një qytetar i kësaj lagjeje për televizionin KTV, përcjell Insajderi.

Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes është faza e tretë e Projektit të Kogjenerimit dhe ishte planifikuar të bëhej këtë verë.