Premtimet e pambajtura të Qeverisë rrezikojnë përjashtimin e Kosovës nga FIFA

14.03.2017 20:58

Dhjetë muaj pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, liderët e lartë të shtetit vazhdojnë të japin premtim për ndërtimin e një stadiumi kombëtar, edhe pse klubet kosovare rrezikojnë të humbasin të drejtën e garimit në Evropë edhe këtë vit, pikërisht për shkak të mungesës së një stadiumi. Premtimet e pa mbajtura të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë edhe karrigen e Kosovës në FIFA.

Premtimet e pambajtura të Qeverisë rrezikojnë përjashtimin e Kosovës nga FIFA

“2016-ta padyshim është viti ynë”, kishte thënë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, disa momente pasi Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) pranoi në ombrellën e saj, zyrtarisht Kosovën më 13 maj të vitit të kaluar, në Kongresin e 66-të të saj në Meksiko.

Ndoshta 2016-ta ishte viti i më i suksesshëm i sportit të Kosovës – me pranimin në FIFA e UEFA – mirëpo viti 2017 e ka zënë Kosovën pa një stadium që plotëson standardet e UEFA-s dhe FIFA-s, të cilin Qeveria e kishte premtuar menjëherë pas pranimit të FFK-së në FIFA.

“Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. 2016-ta pa dyshim është viti ynë. Urime!”. Kishte shkruar kryeministri Mustafa, pak momente pas pranimit të Kosovës në FIFA.

E presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk i shkonte në mendje që klubet kosovare dhe përfaqësuesja e futbollit nuk ka një stadium, së paku një modest – të kategorisë së dytë të UEFA-s – për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, teksa premtonte një stadium kombëtar me 30 mijë ulëse.

“Pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kombëtares së Kosovës i duhet një vend dinjitoz për zhvillimin e garave ndërkombëtare. Do të bëjmë çmos, që sa më parë të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, me kapacitet prej 30 mijë ulëse, i prezantuar kohë më parë. Vetëm kështu, anëtarësimi në UEFA dhe FIFA merr kuptim”, kishte thënë Thaçi më 15 maj të 2016-s.

Dhjetë muaj pas pranimit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA, zyrtarët e lartë të shtetit po inspektojnë punimet për ndërtimin e një stadiumi kombëtar të Kosovës, edhe pse skuadrat e Superligës së Kosovës mund të privohen nga e drejta për të luajtur në garat e UEFA-s për shkak të mungesës së një stadiumi që nuk i plotëson as kushtet e kategorisë së dytë të stadiumeve të UEFA-s.

Madje për këtë stadium kombëtar, ata deklarojnë se kanë mungesë të mjeteve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe disa deputet e ministra e kanë inspektuar tokën prej më shumë se 37 hektarësh në Bernicë, ku do të ndërtohet stadiumi nacional i Kosovës.

Por, edhe pse është caktuar vendi, ende nuk dihet se kur do të fillojë, e as kur do të përfundojë stadiumi që pritet të jetë modern me rreth 30 mijë ulëse.

I pari ekzekutivit, ka deklaruar se ende nuk i kanë siguruar mjetet për ndërtimin e stadiumit.

“Ka vija të tilla financiare të cilat ne i kemi hulumtuar deri më tani dhe mund t’i shfrytëzojmë që të ndërtojmë këtu stadiumin i cili do të plotësojë të gjitha kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, që të ndërtojmë edhe stadiume të tjera shtesë ose përcjellëse që do të jenë ndërlidhëse me këtë, që të përkrahim edhe dislokimin e Fakulteti të Edukatës Fizike në këtë pjesë”, tha kryeministri.

“FIFA mund të na përjashtojë, nëse nuk kemi stadium”

Në rast se klubet e futbollit të Kosovës nuk do të arrijnë të marrin pjesë në garat evropiane edhe këtë vit, kryetari i FFK-së, Fadil Vokkri deklaroi se do të ishte një “katastrofë”.

I pari i federatës tha se ekziston rreziku që Kosova të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.

“Nëse ne ecim në këto ritme, deri në pafundësi, atëherë mund të shtohet edhe çështja e rishikimit të pranimit tonë. Nëse vazhdohet kështu, unë nuk shoh tjetër zgjidhje. Kjo nuk është që po dua të fus një presion tjetër, por kjo është e vërteta. Unë si i pari i interesuar për këtë çështje, mendoj që kjo është logjike dhe normale nëse na përjashtojnë, sepse nuk i kemi kushtet”, deklaroi Vokrri, muaj më parë.

Kosova u pranua në FIFA më 13 maj të 2016-s në Kongresin e 66-të të FIFA-s të mbajtur në Meksikë. Me 143 vota pro, Kosova u bë pjesë e shtëpisë së futbollit botëror.

Që atëherë, vetëm përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar gara ndërkombëtare. Përfaqësuesja e Kosovës u detyrua, megjithatë, që të luante jashtë territorit të Kosovës. Për shkak të mungesës së një stadiumi që plotësonte kushtet e FIFA-s, Kosova, ndeshjet e saj si vendas i zhvilloi në Shqipëri.

Ende nuk janë gati dy stadiumet që iu nënshtruan renovimit

Edhe pse pati 10 muaj e më shumë kohë për të rinovuar njërin nga stadiumet e qyteteve në Kosovë, Qeveria e Kosovës nuk ia doli.

Dhanë tenderë për rinovimin e stadiumit të Prishtinës, mirëpo ai pritet të përfundojë rreth muajit gusht apo shtator, siç ka thënë drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj. Por, garat evropiane për klube fillojnë në muajin qershor.

Në anën tjetër stadiumi i Mitrovicës, përkundër një renovimi që iu bë në vitin 2014, nuk po i plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA e FIFA. Punimet që ishin kryer në këtë stadium , ishin bërë në mënyrë të gabuar. Vetëm sipas standardeve të FIFA-s nuk ishin kryer.

Në një vizitë që inspektori i UEFA-s, Tyrge Borno i bëri stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë më 1 mars të këtij viti, u shpreh ashpër ndaj zyrtarëve të ministrisë.

Gjatë inspektimit të gjendjes së stadiumit, inspektori i UEFA-s ka thënë se gjendja nuk ka ndryshuar asgjë që prej vitit të kaluar.

“Përkundër që i keni pasur të gjitha të shkruara se çfarë duhet punuar, asgjë nuk është punuar”, ka thënë Borno.

Kjo ka detyruar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të marrë masa për një renovim të dytë, shkruan Insajderi.

“Ne mund të përmbushim renovimin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në kohë për muajin qershor, për këtë do të bëjmë gjithçka që është e mundshme që të arrijmë ta bëjmë këtë renovim”, ka thënë javën e kaluar drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj./Insajderi.com