Prej që u bë kryetar komune, bleu dy shtëpi dhe një veturë luksoze

Prej që u bë kryetar komune, bleu dy shtëpi dhe një veturë luksoze

Para se të bëhej kryetar i Komunës së Shtimës, Naim Ismajli nuk kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) shtëpi personale të tij. Por, që prej se u bë kryetar i komunës në vitin 2009, Ismajli në deklarimin e pasurisë ka përfshirë dy shtëpi dhe një veturë. Të gjitha të blera pas vitit 2009.

Ismajli, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), fitoi që në raundin e parë zgjedhjet në Komunën e Shtimës, në vitin 2009.

Që prej asaj kohe, ai bleu një shtëpi me 270 metra katror në vitin 2011, të cilën e ka deklaruar në vlerë prej 60.000 eurove. Në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Ismajli ka deklaruar se këtë shtëpi e ka blerë me para personale, raporton Insajderi.

Ndërsa, në vitin 2013, Naim Ismajli ka deklaruar se ka blerë një veturë në vlerë prej 15 mijë eurove. Edhe këtë aset, ai thotë se e ka blerë me para personale.

E në vitin 2015, kryetari i Komunës së Shtimës u fut në kredi bankare 36 mijë euro, për ta blerë një vikend shtëpizë në vlerë prej 45 mijë eurove. Këtë vikend shtëpizë, Naim Ismajli e ka deklaruar në emër të tij.

Naim Ismajli ka deklaruar edhe katër parcela tokë – bujqësore, malore dhe fusha. Të gjitha këto pasuri të paluajtshme, sipas tij, janë trashëgimi familjare. Sipas deklarimeve të Ismajlit në AKK, vetëm këto parcela tokë arrijnë vlerën e mbi 350 mijë eurove.

Kryetari i Shtimës nuk e kryen vetëm detyrën e shefit të komunës. Ai ka edhe një punë të tjera, nga e cila merr pagë. Naim Ismajli është profesor në kolegjin privat, AAB.

Paga e tij mujore në komunë është rreth 1 mijë e 300. Ndërsa në kolegjin privat, ai merr pagë mujore 1,000 euro, siç e ka deklaruar vet në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). /Insajderi.com