Prej një nëntorit artistët do të marrin pagën me rritje

13.09.2018 18:03
Prej një nëntorit artistët do të marrin pagën me rritje

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, e gjashta me radhë për këtë vit, është miratuar Koncept Dokumenti për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në ekspozenë e tij tregoi se Koncept Dokumenti ka për qëllim krijimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, ambientin dhe mekanizmat e përshtatshëm për promovimin e kulturës, e cila konsiderohet një prej çështjeve më të rëndësishme.

Në këtë kuadër, Koncept Dokumenti parasheh mbështetjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, sigurimi i një trajtimi të dinjitetshëm dhe meritor për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë, me qëllim të ngritjes së performancës institucionale dhe pasurimit të jetës kulturore dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

“Pagat dhe gradimi i punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore janë rregulluar me Rregulloren nr. 05/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, rregullore kjo e cila ka bërë një rregullim adekuat dhe meritor, por me kalimin e kohës janë hasur probleme me çështjen e gradimit të punonjësve të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në lidhje me gradat joadekuate; statusi dhe pozicionimi jo adekuat profesional; problemi i pagave të ulëta jo konkurruese me rajonin; dhe trajtimi i pabarabartë i punonjësve brenda institucioneve”, tha ministri Gashi.

“Me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe interesim më të madh të punëtorëve profesionistë të kulturës për angazhim në institucionet publike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Me miratimin e Rregullores, kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore, për çështjet e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijueseve, performuesëve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, me këtë rregullore kemi krijuar parakushtet për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturë e trashëgimi kulturore” tha ministri Gashi.

“Urime për të gjithë krijuesit, performuesit dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore për pagat e reja me rritje, paga meritore dhe të dinjitetshme të cilat sigurojnë një të ardhme të ndritshme për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë” shtoi ministri Gashi.