Prej kafenesë e deri te tenda – Largimi i ushtrisë serbe nga Kosova

12.06.2018 18:18
Prej kafenesë e deri te tenda – Largimi i ushtrisë serbe nga Kosova

Pesë ditë negociata në mes të NATO-s dhe forcave ushtarake të Millosheviqit që sollën deri te largimi i forcave okupuese nga Kosova. Bisedimet filluan në restorantin “Evropa 93” dhe përfunduan para tendës ushtarak në bazën e NATO-s në Kumanovë.

Në ditën e sotme para 19 vjetëve ka filluar vendosja e forcave ndërkombëtare, në bazë të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, me të cilën u detyruan forcat okupuese të kriminelit Millosheviq që përfundimisht të largohen nga Kosova, dhe rrjedhimisht edhe ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s.

Bisedimet mbi këtë marrëveshje fillimisht ishte dashur të mbahen në Kosovë, mirëpo delegacioni i forcave ndërkombëtare ka mbetur në anën maqedonase për arsye të sigurisë. Prandaj delegacioni nga Beogradi shkoi në fshatin kufitar Bllacë. Më pas janë bartur në restorantin “Evropa 93” ku i pritnin disa qindra gazetarë, shkruan Insajderi.

Ekipi i NATO-s, si fitues të luftës që ishin, insistonin që marrëveshja të nënshkruhet për disa orë, mirëpo, anëtarët e delegacionit serb për çdo gjë e kontaktonin Millosheviqin për të marrë instruksione dhe për ta zgjatur sa më shumë që është e mundur nënshkrimin e kapitullimit. Kështu bisedimet nga kafeneja u bartën në bazën ushtarake franceze në Kumanovë. Bisedimet zgjatën pesë ditë.

Negociatorët serb çdo mbrëmje ktheheshin në Serbi dhe e kalonin natën në Banjën e Vranjes.

Më 9 qershor, në orët e mbrëmjes u nënshkrua marrëveshja të cilën në emër të forcave ndërkombëtare të NATO-s e nënshkroi gjeneral-koloneli Mike Jackson dhe nga ana tjetër, për palën kapitulluese e kanë nënshkruar gjeneral-koloneli i Ushtrisë së Jugosllavisë Svetozar Marjanoviq në emër të Shtatmadhorisë së UJ, dhe gjeneral-koloneli i policisë Obrad Stevanoviq në emër të Ministrisë së brendshme të Republikës së Serbisë, shkruan Telegrafi i Serbisë, transmeton Insajderi.

Dispozitat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Kumanovës ishin:

Ndërprerja e armiqësisë në mes të forcave të NATO-s dhe forcave të UJ dhe policisë serbe;

Tërheqja pa kushte të UJ dhe policisë serbe nga territori i Kosovës në periudhë prej  4 ditëve;

Vendosja e zonës së sigurisë rreth kufirit të Kosovës me Jugosllavinë (Serbinë dhe Malin e Zi);

Të çarmatosen ushtarët e UÇK-së dhe të krijohet TMK.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake më 9 qershor 1999 në Kumanovë, forcat serbe në katër ditët e ardhshme u tërhoqën nga Kosova dhe me këtë edhe përfuduan operacionet ushtarake të NATO-s në ish RFJ. Njëkohësisht, në Kosovën e çliruar hyrën rreth 50.000 pjesëtarë të KFOR-it dhe u vendos misioni i përkohshëm i Kombeve të Bashkuara deri në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. /Insajderi.com