Postimi antiracist i Obamas është bërë më i pëlqyeri deri tash në Twitter

16.08.2017 14:22
Postimi antiracist i Obamas është bërë më i pëlqyeri deri tash në Twitter

Një postim i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, pas tubimit të së djathtës ekstreme në Virgjinia, është bërë mesazhi më i pëlqyer i të gjitha kohërave në rrjetin Twitter.

“Askush nuk është lindur me urrejtje ndaj personit tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij, për prejardhjen e tij apo për religjionin e tij…”, ka shkruar Obama në rrjetin Twitter më 12 gusht, duke e cituar liderin e Afrikës Jugore, Nelson Mandela, i cili ka vdekur para disa vitesh.

Ky postim ishte bërë pasi femra 32 vjeçare, Heather Heyer, nëpunëse në fushë të drejtësisë, që protestonte kundër tubimit të nacionalistëve të bardhë, në qytetin Sharllotsvill, ishte vrarë kur një shofer me makinën e tij e kishte sulmuar turmën e demonstruesve.

Ky postim i Obamës është pëlqyer më shumë se 3 milionë herë, deri sot në mëngjes, duke e bërë kështu shkrimin më të pëlqyer të të gjitha kohërave në rrjetin Twitter.

Ky shkrim është ripostuar më tepër se 1.2 milion herë.