Pos Abrashit, një tjetër kandidat i LDK-së refuzon debatet televizive

Pos Abrashit, një tjetër kandidat i LDK-së refuzon debatet televizive

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, anuloi dy debate televizive në përballej me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit aktual Shpend Ahmeti, duke u arsyetuar se ka dhimbje dhëmbi dhe se do t’i nënshtrohet një intervenimi mjekësorë, një tjetër kandidat i LDK-së për kryetar komune në balotazh, ka refuzuar përballjen në debatet televizive.

Por Agim Veliu, kryetar aktual i Podujevës që ka shkuar në balotazh me kandidatin e VV-së, Ajet Potera, nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për këtë refuzim.

Megjithatë kundërkandidati i Veliut, Ajet Potera e ka komentuar këtë refuzim si një “përpjekje e tij për të diktuar agjendën e mediave”.

“Sikur mbrëmë në KTV, Agim Veliu refuzoi edhe përballjen që duhej të ndodhte sonte në Klan Kosova. Përpjekja e tij për të diktuar agjendën e mediave, është një tjetër tregues i arrogancës së tij prej humbësi. Duket që as qindra mijëra euro të buxhetit publik, që i shpenzoi në ditët e fundit të fushatës, nuk ia hoqën frikën që ia solli ideja e humbjes së pushtetit”, ka shkruar Potera.

“Por ne nuk ikim si ai. Ne nuk kemi ikur kurrë. Ne jemi gati të ballafaqohemi kurdo e kudo, me ose pa Agimin. Ne jemi gati që të dalim edhe para gazetarëve dhe analistëve, nëse kjo mbetet zgjidhja e vetme për t’i prezantuar qytetarit alternativën që sjell ndryshimin”, ka shtuar ai. /Insajderi.com