Në Austri ka shumë ndasi në mes myslimanëve dhe pjesës tjetër të qytetarëve. Përçarjet janë më të mëdha se në shtetet tjera, si për shembull në Gjermani, Francë, Zvicër apo Britaninë e Madhe.
Në Austri llogaritet të ketë rreth 700 mijë myslimanë dhe në aspektin ligjor kanë të drejta të barabarta, pasi që kjo bashkësi fetare ligjërisht është në të njëjtin nivel me kishën e krishtere.
Por, përçarjet mes myslimanëve dhe pjesës tjetër të banorëve janë shumë më të thella në jetën e përditshme, dëshmoi hulumtimi i bërë nga fondacioni “Bertellsman”, shkruan “RTV 21”.
28 për qind e austriakëve që i përkasin një besimi tjetër nuk dëshirojnë të kenë fqinjë myslimanë, përcjell albinfo.ch.
Në shtetet tjera, të përfshira në hulumtim, përqindja sillet prej 14 deri në 19 për qind. Vetëm një e treta e myslimanëve të anketuar deklaruan se gjatë 12 muajve të kaluar nuk janë përballur me diskriminim.
Në Gjermani dhe Zvicër përqindja e atyre që theksuan se nuk janë diskriminuar është dyfish më e lartë.