Politikani që priti tre vjet për tu bërë zëvendësministër

Për një post të zëvendësministrit në Qeverinë e Kosovës, Munir Bashës i është dashur që të presë tri vite. Liderit të Partisë Konservatore të Kosovës i ishte premtuar posti i zëvendësministrit nga ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në verën e vitit 2014. Asokohe PK-ja lidhi koalicion parazgjedhor me PDK-në.

Politikani që priti tre vjet për tu bërë zëvendësministër

Kryetari i Partisë Konservatore të Kosovës, Munir Basha është emëruar sot zëvendësministër i Drejtësisë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Por liderit të PKK-së, e cila në vitin 2014 lidhi koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila asokohe udhëhiqej nga Hashim Thaçi, i ishte premtuar ky post rreth tre vite më parë.

Ishte Hashim Thaçi ai, i cili në verën e vitit 2014 kur PKK-ja dhe PDK-ja hynë në një koalicion parazgjedhor së bashku, i kishte premtuar Munir Bashës një pozitë të zëvendësministrit në qeveri, njofton Insajderi.

Megjithatë, Thaçi nuk kishte respektuar marrëveshjen parazgjedhore që kishte bërë me PKK-në e Bashës.

Në muajin korrik të vitit 2015, një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes Basha deklaronte se është një pritje që Thaçi t’ia realizonte premtimin.

“Ende jemi në pritje të implementimit të marrëveshjes”, kishte thënë Basha për “PrizrenPress”.

Ish-kryetari i PDK-së, i cili në fillim të vitit 2016 dha dorëheqje nga pozitat e tij në parti dhe në ekzekutivin e qeverisë, nuk e përmbushi asnjëherë premtimin e tij ndaj Munir Bashës.

Edhe pse Thaçi nuk e realizoi zotimin ndaj Bashës derisa ishte kryetar i PDK-së, këtë premtim ndaj kryetarit të Partisë Konservatore e përmbushi pasardhësi i Thaçit në parti, Kadri Veseli. Kjo pasi PDK ishte partia që i bëri kërkesë partnerit në koalicionin qeveritar që të emërojë Bashën zëvendësministër.

Këtë e ka konfirmuar sot shefja e stafit të kryeministrit Mustafa, Vlora Durmishi. Ajo ka thënë se ndryshimet në ministri janë bërë të enjten.

“Po janë bërë ndryshimet, këto kanë ardh prej partnerit të koalicionit, gjatë ditës së djeshme. Nehat Mustafa do të kalojë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si zëvendësministër, në vend të Avni Kastratit, ndërkaq Behar Selimi do të kalojë si zv/ministër në MPB. Kurse Munir Basha zv.ministër në Ministrinë e Drejtësisë”, tha Dumoshi për Express.

Përveç ish-zëvendësministrit Avni Kastrati që është liruar nga detyra, para disa dite nga pozita e zëvendësministrit të Drejtësisë është liruar edhe Lirak Çelaj. /Insajderi.com