Policitë e Kosovës dhe Shqipërisë bashkohen kundër krimit të organizuar

Duke pasur parasysh zhvillimet e reja dhe kërcënimet nga krimi i organizuar dhe format tjera të krimeve të rënda, Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë identifikuar nevojën që të hartohet një dokument i përbashkët strategjik, për vlerësimin e kërcënimeve aktuale dhe parashikimin në të ardhmen.

Policitë e Kosovës dhe Shqipërisë bashkohen kundër krimit të organizuar

Po ashtu duke synuar të jemi në hap me dokumentin SOCTA të Europol-it, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Qendrën për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), sot përmes një konference të hapur ka bërë lansimin e këtij dokumentit strategjik “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar”- SOCTA (Serious Organized Crime Threat Assesment), të rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe Policinë e Shtetit Shqiptar .

Dokumenti SOCTA, paraqet  vlerësimin e kërcënimit  të trendeve aktuale dhe atyre të reja të pritura të  krimeve të rënda  dhe krimit  të  organizuar dhe përmban vlerësime të detajuara lidhur me format më të theksuara të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, njofton Policia e Kosovës.

Vlerësimi bazohet mbi njohuritë ekzistuese, ekspertizën dhe është bërë në mënyrë që t’u mundësojë vendimmarrësve të ndërmarrin veprimet e duhura, për të iu kundërvënë kërcënimeve të përbashkëta  të parashikuara.

SOCTA e përbashkët do të jetë një hap i rëndësishëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes të autoriteteve të ndryshme kompetente brenda Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe do të kontribuojë në zhvillim të mëtutjeshëm të synimeve të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. /Insajderi.com