Policia zotohet për “zero tolerancë” ndaj kundërvajtësve në trafik

Policia zotohet për “zero tolerancë” ndaj kundërvajtësve në trafik

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë masa shtesë “me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje.”

Përmes një njoftimi për media, PK njofton se ka krijuar një “task forcë”, e cila enkas do të merret vetëm me kontrollin, trajtimin dhe përmirësimin e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor.

“Qëllimi kryesor i kësaj TASK FORCE është që përmes qendrave të komandës dhe kontrollit dhe zbatuesve të detyrave në rrugët e Kosovës, të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel të PK-së nga nivele dhe njësi të profileve të ndryshme, me prezencë më të shtuar dhe mbulim të terrenit 24/7 në të gjitha akset rrugore, duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Programi veprues i TASK FORCË-s, parasheh përfshirjen e njësiteve të ndryshme në terren dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale”.

Policia apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht  te shoferët e automjeteve, që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, thuhet në njoftim.