Policia vret 5 persona të dyshuar për përgatitjen e sulmit të dytë terrorist në Spanjë

Policia vret 5 persona të dyshuar për përgatitjen e sulmit të dytë terrorist në Spanjë

Pa kaluar ende 12 orë nga masakra në Barcelonë, 5 persona të dyshuar si terroristë janë vrarë nga policia spanjolle në qytetin Kambrils, ku po përgatitej një tjetër sulm i ngjashëm me atë të pasdites së djeshme.

Pesë personat mbanin veshur jelekë kamikazë me eksplozivë dhe ishin brenda një makine. Policia iu vu pas duke i qëlluar për vdekje, përveç njërit që mundi të largohej. Të plagosur kanë mbetur 6 persona, 3 prej tyre agjentë policie. Në gjendje më të rëndë është një grua e cila u plagos me thikë nga terroristi që u arratis dhe u vra disa orë më vonë.

Ditën e enjtë, 13 vetë humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u lënduan pasi një furgon hyri në zonën e famshme turistike të Barcelonës, “Las Ramblas”, duke përplasur kalimtarët e duke ngjallur tmerr dhe panik në zonë.

Dy janë të arrestuarit në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që raportohet se shoferi i furgonit ka mundur të arratiset. Policia publikoi gjatë orëve të natës foton e një personi të quajtur Driss Oukabir Soprano, që mendohet se ka marrë me qira furgonin e përdorur për ta përplasur mbi këmbësorët, por pak orë më vonë, Dris Soprano u shfaq në polici për të denoncuar vjedhjen e dokumenteve të tij.

Shteti Islamik pranoi se qëndron pas sulmit nëpërmjet një deklarate të publikuar në agjencinë e lajmeve Amaq, por nuk dha prova apo detaje të mëtejshme që të mbështeste këtë pretendim.