Policia vëzhgon shtëpinë e Ramiz Kelmendit, shkak vota e tij pro demarkacionit

Policia vëzhgon shtëpinë e Ramiz Kelmendit, shkak vota e tij pro demarkacionit

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi po vazhdon të jetë i rrethuar nga Policia e Kosovës. Kjo po ndodh për shkak të kërcënimeve që ai i ka marrë nga e kaluara, saktësisht për votën e tij rreth çështjes së demarkacionit.

Kelmendi ishte intervistuar nga Prokuroria e Pejës së bashku me Policinë për shkak të deklarimeve të tij se është kërcënuar me jetë ai dhe familja e tij nga individë të ndryshëm nëse vota e tij shkon pro demarkacionit.

E pasi ky i fundit votoi pro marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi, policia po vazhdon ta vëzhgojë shtëpinë së tij në Pejë.

Forca të Policisë së Kosovës kanë qenë të pranishme edhe gjatë ditës së sotme afër shtëpisë së tij në Pejë. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar vetë deputeti Kelmendi.

Ramiz Kelmendi tha se do të jetë i mbrojtur nga Policia deri sa këta të fundit të konstatojnë se nuk do të jetë i rrezikuar nga ata që e kërcënuan.

“Njëherë nuk e di deri kur, por e kanë një prezencë të shtuar sipas informatave që më kanë dhënë deri sa nuk shohin se a ka ndonjë lëvizje që mund të ma rrezikojë jetën me kërcënimet e kaluara”, tha Kelmendi.

Tutje ai tha se forcat e policisë po qëndrojnë pranë tij për shkak të votës pro demarkacionit që Kelmendi e dha në seancën e së mërkurës. Gjithçka është çështje sigurie, tha ai ndër të tjera.

Ramiz Kelmendi, njëherë kishte refuzuar të votonte pro demarkacionit, me arsyetimin se ia kishin kërcënuar familjen. Pastaj, kishte thënë se është i sëmurë dhe nuk mund të japë votën për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Por, në fund, deputeti nga Peja e kishte votuar Marrëveshjen me Malin e Zi, duke siguruar votën vendimtare.

Ramiz Kelmendi kishte hyrë së pari në AAK, kishte kaluar në PDK pastaj në LDK. Aktualisht është deputet i LDK-së.