Policia thotë se kishte vrasje në tentativë ndaj Azem Vllasit

Policia thotë se kishte vrasje në tentativë ndaj Azem Vllasit

Policia e Kosovës e ka konfirmuar plagosjen e avokatit Azem Vllasi, të cilën e ka cilësuar si ‘vrasje në tentativë’.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima A. V., mashkull, 68 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 08:00, ku policia  ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, vazhdon njoftimi.

Policia thotë se me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg  veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin./Insajderi.com