Policia sqaron veprimin për largimin e banorëve në “Dardani”

Policia sqaron veprimin për largimin e banorëve në “Dardani”

Policia e Kosovës ka sqaruar veprimet e saj sot në lagjen “Dardania” në Prishtinë për largimin e banorëve nga ndërtesa.

“Policia e Kosovës informon opinionin e gjerë dhe mediat, se duke u bazuar në shkresën zyrtare dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë tek Policia e Kosovës, me ç’rast është kërkuar asistencë në lagjen Dardania në Prishtinë, janë ndërmarrë veprime ligjore për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e vendimit sipas kërkesës dhe procedurave ligjore”, la sqaruar policia.

Policia thotë se janë angazhuar sipas detyrimeve ligjore që ka Policia e Kosovës në zbatimin e vendimeve të Gjykatave kompetente në vend, dhe se qëllimi i veprimeve policore në këtë rast është për të ofruar siguri për zyrtarët e autorizuar të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe zyrtarëve të tjerë gjatë procedurës në zbatimin e vendimeve ligjore, ruajtja e rendit, qetësisë publike dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj secilit që cenon rendin dhe sigurinë./Insajderi.com