Policia: Nehat Thaçi ishte në udhëtim privat

Policia: Nehat Thaçi ishte në udhëtim privat

Policia e Kosovës ka thënë se arrestimi i drejtorit Rajonal të Policisë së Mitrovicës së Jugut, Nehat Thaçi, është bërë jashtë detyrës zyrtare të tij, pasi ai ishte në pushim.

Nehati po udhëtonte bashkë më një shok për në perëndim, dhe po kalonte nëpër Serbi.

“Ka qenë jashtë detyrës zyrtare, pra në pushim dhe së bashku me një shok të tij duke udhëtuar për çështje private nëpër territorin e Serbisë për në shtetet perëndimore ai është arrestuar”, ka thënë policia.

“Nuk kemi asnjë sqarim nga autoritet serbe për arsyet e arrestimit të tij, megjithatë përmes autoriteteve kompetente të EULEX-it, kemi kërkuar nga pala serbe arsyet e arrestimit të tij”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës./Insajderi.com

 

Nehat Thaçi u arrestua te “Dheu i Bardhë”

Policia e Kosovës ka informacione për arrestimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, por ende nuk i di arsyet e arrestimit.

Këtë e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Sipas autoriteteve të Policisë Kufitare të Kosovës nga pika doganore “Dheu i Bardhë”, mbrëmë rreth orës 12:10 pas mesnatës, në hyrje të Serbisë, nga autoritetet serbe është arrestuar drejtori i Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi”, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës, sipas Hoxhës, deri më tani nuk ka më shumë informacione, por është duke bërë përpjekje ta zbardhë rastin./Insajderi.com