Policia ruse vret dy persona të dyshuar për sulm terrorist

Policia ruse vret dy persona të dyshuar për sulm terrorist

Policia e Rusisë i ka vrarë dy persona të dyshuar për posedim të eksplozivit në qytetin, Nizhny Novgorod, kanë raportuar mediat ruse.

Nga shpërthimi gjatë operacionit të sotëm, janë plagosur dy policë në këtë qytet, i cili ndodhet në pjesën qendrore të Rusisë.

Policia, e cila e ka arrestuar një të dyshuar të tretë të gjallë, po zhvillon kërkime në hapësirën e banuar të qytetit për të dyshuar të tjerë eventualë.

Policia “i ka qëlluar për vdekje dy njerëz të dyshuar për terrorizëm”, i ka thënë një burim i agjencive të zbatimit të ligjit rrjetit, RIA Novosti.

Nuk ka pasur konfirmim të menjëhershëm zyrtrar të këtyre raporteve.

Një burim i agjencive të zbatimit të ligjit i cituar nga agjencia TASS, personat e vrarë i ka cilësuar si “pjesëtarë të grupeve të armatosura ilegale”, term që përdoret nga zyrtarët rusë për t’i përshkruar kryengritësit islamikë në rajonin e trazuar të Kaukazit Verior të Rusisë./REL