Policia po merret me aferën e mashtrimit të Zekës, mohon se i lejoi qasje në të dhënat personale

Policia po merret me aferën e mashtrimit të Zekës, mohon se i lejoi qasje në të dhënat personale

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Shtetit janë duke u marrë me rastin e deputetit Milaim Zeka, për të cilin Gazeta Insajderi ka publikuar aferën e mashtrimeve të 920 personave me viza punë në Gjermani.

“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me  Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha  veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në komunikatën e policisë.

Megjithatë, policia, përmes një kësaj komunikate ka thënë se nuk pajtohet me një pjesë të shkrimit ku e implikon këtë institucion në rastin e aferës së mashtrimit të deputetit Zeka dhe partnerit të tij në biznes, Ilir Krasniqi.

Në pjesën e katërt të hulumtimit Gazeta Insajderi ka përdorur një dokument me të cilin dëshmohet se si policia i ka lejuar qasje Milaim Zekës në të dhënat personale të Ilir Krasniqit, të cilat i ka përdorur për shantazh.

Por, Policia në të njëjtën komunikatë sqaron se dokumenti i përdorur nuk është dokument apo formë zyrtare që e përdorë policia.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe i siguron të gjithë qytetarët e saj se shkrimi i tillë i publikuar i cili u referohet informacioneve apo bisedave të palëve të përfshira në rast, ku kinse Policia e Kosovës u ka dhënë qasje në dokumente zyrtare, nuk qëndron, është i pavërtetë, qëllimkeq dhe tendencioz, pasi që fotografia, shenjat e gishtërinjve dhe nënshkrimi i publikuar nuk janë forma të cilat i posedon Policia e Kosovës”, thuhet në sqarimin e policisë.

“Policia e Kosovës rithekson dhe njëherit rikonfirmon se nuk ka asnjë informacion, dokumentacion apo dëshmi zyrtare që ndërlidhet me pjesën e shkrimit të publikuar në portale, dhe se Policia e Kosovës nuk lejon qasje të asnjë personi në dokumentacione apo lëndë zyrtare, përveç zyrtarëve kompetentë të autorizuar dhe të  thirrur me ligj”, thuhet të tej aty.

Për më tepër, Gazeta Insajderi ka publikuar disa dëshmi, të cilat Milaim Zeka i ka përdorur si formë shantazhi ndaj ortakut të tij në biznes, Ilir Krasniqi.

Zeka i kishte thënë Krasniqit se ka qenë për katër orë në polici dhe e ka parë dokumentin me të cilin, sipas Zekës, po planifikohej arresti ndërkombëtar i Krasniqit.

“Unë sot jam thirr në polici për krime serioze. Katër orë më kanë marrë në pyetje. Edhe ma tregun këtë foto që ishin duke të shpall arrest ndërkombëtar”, i kishte shkruar Zeka ortakut Krasniqi./Insajderi.com