Policia nuk tregon sa ishte numri i protestuesve në Pejë

Policia nuk tregon sa ishte numri i protestuesve në Pejë

Policia e Kosovës ka njoftuat se protesta e mbajtur sot në Pejë për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ka kaluar pa incidente.

Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se në protestë kanë marrë pjesë qytetarë nga rajoni i Pejës dhe rajoneve të tjera të Kosovës, por nuk ka dhënë detaje rreth numrit të protestuesve.

Në vend të kësaj, policia ka preferuar të thotë se në protestë janë mbledhur “një numër i konsiderueshëm i protestuesve.”

Numri i pjesëmarrësve në protestat e kaluara të opozitës për të kundërshtuar demarkacionin dhe asociacionin bëhej çështje debati në publik.  Në janar, për një protestë të organizuar nga Vetëvendosje, AAK e NISMA, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, kishte thënë se kanë marrë pjesë rreth 8 mijë persona, në kohën kur opozita pretendonte se ka mbledhur deri në 100 mijë protestues./Insajderi.com