Policia: Nuk ka emigrim, por po kthehen bashkatdhetarët

Policia: Nuk ka emigrim, por po kthehen bashkatdhetarët

Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim publik në lidhje me raportimet e disa mediave, gjatë mbrëmjes së djeshme, se ka krisur një valë e re emigrimi i kosovarëve.

Mbrëmë Indeksonline dhe Intearktiv i KTV-së, bazuar në disa video dhe fotografi në të cilat shfaqeshin një numër i madh njerëzisht në stacionin e autobusëve në Prishtinë të cilët po marrin rrugën për vende të ndryshme të Evropës.

Valë e re emigrimi? – autobusët për Beograd përplot me njerëz

Sipas Policisë së Kosovës, nuk ka një “fluks apo eksod të ri të kosovarëve”.

“Menjëherë janë ndërmarr veprime për verifikim të këtyre informacioneve dhe bazuar në punë operative të zyrtarëve policor dhe në bashkëpunim me ministrinë e transportit dhe infrastrukturës, si dhe autoritetet tjera është konstatuar se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve tanë dhe se nuk ka vend për shqetësime të tilla”, ka thënë Policia e Kosovës në komunikatë për media.

“Gjithashtu nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë shtet i BE -se, se ka rritje të numrit të kërkesave të kosovarëve për azil në këto shtete”, shton Policia në komunikatë.

Madje sipas Policisë ekziston një arsye përse në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë gjatë dy mbrëmjeve të fundit ka pasur një numër më të madh të njerëzve.

“Gjatë sezonit sezonit verorë vendin tonë e kanë vizituar shumë bashkatdhetarë tanë, prandaj një numër i madh i tyre kanë përfunduar pushimet dhe festat dhe si zakonisht kthehen nëpër vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Autoritetet tona kanë njoftuar rregullisht përmes mediave për qarkullimin dhe fluksin nëpër pikat e kontrollit kufitar si në hyrje dhe dalje të Republikës së Kosovës dhe masat e ndërmarra për lehtësim në qarkullim, prandaj raportimet për ikje masive apo eksod të qytetarëve në mënyra tjera janë të pavërteta”, thuhet në komunikatën e Polcisë./Insajderi.com