Policia: Një person i dehur shtiu me armë në Beerfest

Policia: Një person i dehur shtiu me armë në Beerfest

Paniku i shkaktuar mbrëmë në “Beerfest”, në sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet po dyshohet se ka ndodhur pasi një i dehur ka shtënë me armë. Policia ende nuk e ka arrestuar të dyshuarin derisa hetimet po i vazhdojnë.

Daut Hoxha nga Policia e Kosovës ka thënë se në bazë të hetimeve të  zhvilluar një person i dehur ka shtirë me armë zjarri, por plumbat nuk kanë lënduar asnjërin nga pjesëmarrësit e Beerfest’it.

“Sipas hetimeve të deritashme, dyshohet se personi që ka shtënë ka qenë i dehur”, ka thënë Hoxha për Express, të shtunën.

“Lidhur me incidentin e mbrëmshëm një person është i lënduar në këmbën e majtë, i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, nuk janë konfirmuar lëndime nga arma e zjarrit përveç disa gërvishtjeve që ka marr nga ndonjë objekt i mprehtë”, ka shtuar ai.

Kurse nga paniku i shkaktuar edhe 40 persona tjerë gjithashtu kanë kërkuar ndihmë në QKUK, për shqetsimet apo lëndimet nga turma.

Policia ka njoftuar se rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, derisa hetimet ende janë duke vazhduar. /Insajderi.com