Nëna e la foshnjen e saj të porsalindur në rrugë, vogëlushja vdes nga acari
Policia e rajonit të Gjakovës ka dhënë detaje shtesë për rastin e vdekjes së jë foshnje një ditë pas lindjes.
Sipas policisë, me datën 22.03.2018 në orën 15:40 në stacionin policor në Gjakovë ankuesja Gj. C. ka raportuar se vajza e saj ka qenë në lindje në spitalin rajonal të Gjakovës dhe e njëjta është kthyer në shtëpi pa foshnjën e lindur.
“Policia menjëherë e ka shoqëruar të dyshuarën – nënën e foshnjës L. M., 32 vjeçare, kosovare/ REA dhe ajo ka deklaruar se e ka lënë në rrugën “Dëshmorët e Morinës” në Gjakovë”, raporton policia.
Policia menjëherë së bashku me të dyshuarën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur foshnjën A. M., e gjinisë femërore e lindur një ditë më parë, ku ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e saj.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa e dyshuara mbahet në ndalim policor. Rasti po hetohet nga hetimet rajonale në Gjakovë”, njofton policia.