Policia konfiskon mbi dy milionë euro të falsifikuara

Policia konfiskon mbi dy milionë euro të falsifikuara

Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth dy milionë euro të holla të falsifikuara, mëngjesin e së premtes, në Vermicë të Prizrenit. Për këtë rast, policia ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona.

Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës ka njoftuar se paratë i konfiskoi nga një automjet i cili kishte hyrë në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa automjeti ishte me targa të Shqipërisë.

Në veturë ishte një shtetar shqiptar dhe një shtetas kamerunas, të cilët janë arrestuar nga policia.

“Vetura drejtohej nga B.D, i lindur më 1972, mashkull, shtetas i Shqipërisë dhe për pasagjer kishte: F.B, i lindur më 1980, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë”, njofton Policia.

“Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarë të të dy institucioneve, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas Policisë, paratë e konfiskuara ishin dy milion e njëqind e një mijë euro.

“Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë: dy milion e njëqind e tridhjetë e një mijë (2.131.000) euro,  si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre (2733) copë letër e bardhë që do të përdorej  për përpunim e kartëmonedhës 500 eurosh”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe tetë (8) shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, tri (3) folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një  leje qëndrimi për në Francë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda  në Prizren dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Insajderi.com