Policia konfiskon 66 kg marihuanë

29.03.2017 14:50
Policia konfiskon 66 kg marihuanë

Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka konfiskuar mbi 66 kg substanca të dyshuara narkotike përderisa në lidhje me këtë rast ka arrestuar një person të dyshuar.

Në rastin e parë të mërkurën, Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në mes të fshatrave Shpenadi, Velezhë, Caparc dhe Novakë, afër një are të punuar gjenden disa çanta të mëdha,  me ngjyrë të zezë dhe të mbuluara me disa mbulesa plastike dhe bari të tharë.

Policia ka vërejtur se katër çantat e zeza, gjendeshin 62 paketime, me një substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë.

Pas këtij rasti policia ka filluar kërkimin rreth vendit të ngjarjes me që rast afër lokacionit ku janë gjetur çantat me narkotikë ka gjetur shtëpinë e një të dyshuar potencial.

Pas kontrollimit të shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe automjetet e të dyshuarit, nuk është gjetur ndonjë dëshmi që lidhet me veprat penale të narkotikëve apo të veprave tjera penale .

Pas matjes së substancave të dyshuara narkotike të llojit marihuanë, ka rezultuar që pesha e tyre të jetë rreth 62 kg e 465 gramë.

Lidhur me këtë rast njësitet përkatëse janë duke zhvilluar hetime të mëtejme.

Rasti tjetër i po të njëjtës ditë ka ndodhur në Fushë Kosovë ku gjatë kërkimit për një të dyshuar për grabitje policia ka gjetur grimca të dyshuara si narkotik.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së A.Ç, shtetas i Shqipërisë janë gjetur 4827.9 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një peshore digjitale dhe tre telefona.

Me urdhër të prokurorit kompetent i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë./Insajderi.com