Policia jep detaje për vrasjen e gruas në Pejë

Policia jep detaje për vrasjen e gruas në Pejë

Policia e Kosovës në Pejë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një gruaje në Pejë, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti.

Rasti i dhunës raportohet se ka ndodhur me datën 17 nëntor 2017 rreth orës 07:20 në rrugën “Mehmet Bajrakatari”. Policia në Pejë rastin e kishte cilësuar si ‘vrasje në tentative’.

Policia bën të ditur se ditën kritike i dyshuari I.B.(1951) kishte sulmuar me sëpatë bashkëshorten e tij S.B.(1965), duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.

“Ky i dyshuar, përkundër përpjekjeve të disa dëshmitarëve të cilët kanë tentuar të parandalojnë të dyshuarin, i njëjti kishte sulmuar me sëpatë edhe viktimën e dytë femër në ketë rast, shtetasen A.B.(1990) e cila kishte pësuar lëndime në kokë dhe në dorë, por sipas raportit mjekësor, e njëjta kishte gjendje stabile, ndërsa viktima e parë (S.B.) për shkak të gjendjes së rëndë në atë kohë ishte dërguar me autoambulancë për në QKUK Prishtinë”, njofton policia e Pejës.

Policia e Kosovës, në kohën e kryerjes së kësaj vepre menjëherë ka arritur të arrestojë të dyshuarin dhe nga shtëpia e të njëjtit është konfiskuar sëpata me të cilën i dyshuari kishte kryer vepren penale të cekur më lartë.

Po ashtu atë ditë ishte sekustruar edhe një armë gjysmëautomatike e kalibrit 7.62×39.

Ky i dyshuar, me rastin e gjetjes së armës, ka kryer edhe veprën tjetër penale të cilësuar  ‘Mbajtje në pronësi, kontrollë të paautorizuar të armës’

Policia njofton se mbrëmë rreth orës 18:30, viktima S.B. e cila ishte në trajtim intensiv mjekësor në spitalin e QKUK-së në Prishtinë, ka ndërruar jetë.

“Hetuesit rajonal DRP Pejë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, është informuar prokurori i shtetit me urdhër të të cilit trupi i pa jetë dërgohet në IML për autopsi. Ky rast tani është cilësuar si vepër e ‘vrasjes së rëndë’”, njofton policia.