Policia gjermane arreston kosovarin, dyshohet se trafikonte kosovarë të tjerë

31.08.2017 16:38
Policia gjermane arreston kosovarin, dyshohet se trafikonte kosovarë të tjerë

Policia Federale e Gjermanisë për regjionin e Munihut ka kapur të martën, më 30 gusht në tunelin kufitar në Füssen një shtetas kosovar, të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore.

Personi 30 vjeçar fajësohet se ka futur ilegalisht nga Austria në Gjermani një numër bashkatdhetarësh të tij, shkruan all-in.de.

Ai është kapur me rastin e një kontrollimi që Policia Federale u ka bërë në autostradën A7 personave që ndodheshin në një makinë me regjistrim italian, transmeton albinfo.ch.

Vozitësi i makinës, shtetas kosovar është identifikuar para policisë me dokumente të rregullta. Ndërsa tre personat tjerë në makinë, të tretë kosovarë, nuk kishin me vete leje për hyrje dhe për qëndrim në Gjermani.

Në vend të kësaj, policia gjatë kontrollimit të veturës ka gjetur një letërnjoftimi italian, i cili rezultoi i falsifikuar. Ky dokument është konfiskuar nga policia.

Sipas deklarimit të personave të përmendur, ata ishin duke shkuar në Belgjikë, për të punuar. Pas përfundimit të masave policore, të tre kosovarët u detyruan të lëshojnë territorin gjerman gjegjësisht iu dorëzuan autoriteteve austriake.

Ndërsa shoferi i tyre, i cili jeton në Itali, u lirua nga policia vetëm pasi që pagoi depozitën prej 1200 eurove, të caktuar nga prokuroria publike. Kjo shumë e parave shërben për sigurimin e procedurës penale kundër këtij personi, të dyshuar si trafikues.