Policia gjen 10 kg substancë narkotike në veturën me targa gjermane

Policia gjen 10 kg substancë narkotike në veturën me targa gjermane

Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 10 kilogramë substancë të dyshuar narkotike dhe ka arrestuar personin e dyshuar për ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

“Policia e Kosovës, konkretisht Policia Kufitare në afërsi PKK Vermicë, më 04.01.2017, rreth orës 23:40, gjatë patrullimit ka vërejtur një person të dyshuar afër rrethojës së autostradës dhe në afërsi një veturë të ndaluar me targa gjermane. Patrulla policore  gjatë kontrollit të personit, të veturës dhe hapësirës përreth gjen një çantë me 20 qese substancë e dyshuar e llojit mariuanë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Patrulla kufitare e ka njoftuar Njësinë e Antidrogës të DRP Prizren e cila po vazhdon me procedura të rastit.

“Sasia e substancës narkotike e gjetur është 10 kg e 068 g. Gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarit, i njëjti tenton t’u ofrojë 100 euro mito zyrtarëve policorë”, vazhdon njoftimi.

Policia njofton prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prizren për rastin e gjetjes së substancës narkotike dhe për ofrimin e mitos.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari  B.M., lindur më 1987, mashkull shtetas i Kosovës, dërgohet në ndalim policor për 48 orë”, njofton policia.

Po ashtu, policia sekuestron si provë materiale substancën narkotike (10 kg e 068 g.), veturën e të dyshuarit dhe dy kartëmonedha nga 50 euro./Insajderi.com