Policia e Shqipërisë sekuestron 750 kg hashash

28.03.2017 11:03
Policia e Shqipërisë sekuestron 750 kg hashash

Policia Kufitare e Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës, Delta Forcë dhe Guardia di Finanza kanë finalizuar me sukses një operacion të përbashkët, ku është bllokuar një mjet lundrues në det si dhe një sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike hashash.

Operacioni është zhvilluar në Karaburun, pranë vendit të njohur si “Gjiri i Anglezit”.

Një pjesë e lëndës narkotike u gjet e ngarkuar në gomone, ndërsa pjesa tjetër ishte e shpërndarë në breg të detit dhe në total ishin 57 pako të përmasave të ndryshme të mbështjella me plastikë dhe natriban.

Mjeti lundrues i llojit gomone ishte me përmasa përmasat 7.2 m gjatësi dhe me dy motora, njëri 300 KF dhe tjetri 25 KF, shkruan Tch.

Dyshohet se mjeti përdorej nga 3 persona për trafikimin e lëndës narkotike drejt brigjeve italiane. Të tre këta shtetas kanë përfituar nga terreni i thyer dhe errësira për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia njofton se operacioni i përbashkët vazhdon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.