Policia e Shkodrës merr masa për ndeshjen Kosovë-Islandë

Policia e Shkodrës merr masa për ndeshjen Kosovë-Islandë

Policia e Shkodrës ka publikuar sot planin e masave me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së të premtes Kosovë – Islandë në stadiumin “Loro Boriçi”.

Me anë të një komunikate për media, blutë e qytetit verior mes të tjerash u bëjnë thirrje tifozëve dhe qytetarëve që të jenë bashkëpunues në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e këtij aktiviteti sportiv.

“Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e qytetit Shkodër dhe tifozeritë ardhur nga Islanda, Kosova dhe treva të tjera që do të ndjekin ndeshjen në stadiumin ‘Loro Boriçi’ se, DVP Shkodër, për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv, do të marrë disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të”, thuhet në këtë njoftim.

Loja është parashikuar të fillojë në orën 20:45 ndërkaq sipas këtij njoftimi hyrja e tifozërisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17:00.

“Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarrëve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë”, njofton policia.

Ndërsa bizneseve në afërsi të stadiumit ‘Loro Boriçi’ u është kërkuar t`i mbyllin aktivitetet në orën 14:00. /Insajderi.com