Policia e Kosovës shpërfill kërcënimin ndaj zyrtarit të lartë shtetëror

Kanë kaluar më shumë se 24 orë prej kërcënimit që dy persona i bënë kryetarit të OSHP-së Blerim Dina, por Policia e Kosovës e ka shpërfillur totalisht rastin. Ende nuk ka marrë asnjë veprim për kërcënimin ndaj kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Policia ka heshtur edhe ndaj pyetjeve të Gazetës Insajderi lidhur me rastin.

Policia e Kosovës shpërfill kërcënimin ndaj zyrtarit të lartë shtetëror

Policia e Kosovës e ka shpërfillur kërcënimin që dy persona i bënë të hënën kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Blerim Dinës.

Kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, po shkonte në shtëpinë e tij të hënën, pasi përfundoi punën, kur në një rrugicë afër shtëpisë së tij e ndaluan dy persona, të cilët e kërcënuan.

Kështu tregoi Dina në një intervistë për Insajderin. Tha se biznesmeni Naim Sallahu – pronar i kompanisë ‘”Sallahu” – dhe një kushëri i Sami Lushtakut, Shaban Lushtaku, e kanë ndalur në rrugë duke tentuar ta detyrojnë që të shkojë të takohet me kryetarin aktual të Skenderajt.

Gjashtë orët e tmerrit për shefin e OShP-së: Frikësimi, Sami Lushtaku dhe tenderët milionësh

Në këtë intervistë, shefi i OSHP-së tregon se pasi dy persona e kishin kërcënuar, ai kishte biseduar në telefon me Sami Lushtakun. Thotë se i kishte kërkuar kryetarit të Skënderajt që t’ia largonte dy personat që po e përcillnin. Lushtaku, sipas Dinës, ia kishte mbyllur telefonin.

Insajderi ka siguruar xhirimet e kamerave të kompleksit banesor ku jeton Dina. Ai shihet duke hyrë me shpejtësi në ashensor. Disa sekonda shfaqet personi për të cilin Dina thotë se është Shaban Lushtaku dhe një person tjetër, të cilin nuk e njeh.

Video Ekskluzive nga kamerat e sigurisë: Frikësimi i shefit të OSHP-sëhttp://www.insajderi.com/hulumtime/gjashte-oret-e-tmerrit-per-shefin-e-oshp-se-frikesimi-sami-lushtaku-dhe-tenderet-milionesh/

Posted by Insajderi on Tuesday, 17 October 2017

Por, këto kërcënime dhe veprime të dyshimta të dy personave ndaj shefit të OSHP-së, nuk kanë qenë bindëse për Policinë e Kosovës. Ky institucion nuk ka reaguar ende për rastin në fjalë, edhe pse Blerim Dina ka denoncuar në polici personat që e kërcënuan të hënën.

Denoncimin e tij nuk e ka përfshirë Policia e Kosovës në raportin ditor, të cilin ia dërgon medieve. Insajderi ka pyetur policinë se pse ka ndodhur kjo, por nuk ka marrë përgjigje.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësit policor, përfshirë zëdhënësen e Rajonit të Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti dhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës nuk i ka dhënë asnjë informacion Insajderit, duke thënë se “në njësitin policor të Prishtinës, nuk është intervistuar asnjë person për këtë rast”. Ndërkaq, ka qenë e pamundur kontaktimi me zëdhënësit e tjerë të Policisë së Kosovës.

Dina i ka thënë mbrëmë Insajderit, se rreth orës 22:00 ishte intervistuar nga Policia e Kosovës dhe se ishte i pakënaqur se si ishte trajtuar.

“Më thanë se nuk është asgjë kjo. Shko flej e pusho edhe kalon”, tregoi Dina. /Insajderi.com