Policia e Kosovës prezantoi raportin kundër krimit të organizuar

Policia e Kosovës prezantoi raportin kundër krimit të organizuar

Policia e Kosovës bashkë me OSBE-në në Kosovë përmes një konference informative e zyrtarizuan dokumentin strategjik “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni, tha se ky dokument që është hartuar në bazë të metodologjisë së Europolit, ka arritur të identifikojnë disa kërcënime si luftimi i krimit të organizuar, terrorizmi, trafikimi me njerëz e narkotik e të tjera.

Kurse Riza Shillova njëri ndër hartuesit e raportit duke folur në detaje për të gjeturat tha se trafikimi me narkotik është shqetësuese në Kosovë. Ai tregoi se ekzistojnë 15 mijë përdorues te narkotikeve në vend.

Ai gjithashtu ka përmendur se trafikimi me qenie njerëzore, për të cilën tha se kohëve të fundit në Kosove ka pasur më shumë trafikim vendor kryesisht të prekur prej moshës 14 deri 25 vjeçare.

“Gjithashtu krim në rritje në Kosovë janë edhe krimet kibernetike, apo thyerjet në internet”, tha Shillova.

Ky dokument përmban analiza katër vjeçare, ndërsa vlerësim përfshinë periudhën kohore dy vjeçare 2014-2015 duke e krahasuar me të dhënat paraprake të viteve  2012-2013. /Insajderi.com