Policia e Kosovës ndalon gazetaren ruse dhe një ukrainas për kalim ilegal të kufirit

Policia e Kosovës ndalon gazetaren ruse dhe një ukrainas për kalim ilegal të kufirit

 

Policia e Kosovës të mërkuren në mbrëmje kanë arrestuar dy persona, të cilët kanë qenë gazetarë të agjencisë ruse të lajmeve “News Front”.

Daut Hoxha zedhënës i policisë tha për Insajderin se të arrestuarit kanë tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin.

“Dje rreth orës 18:30, në Rahovec, nga Policia e Kosovës janë ndaluar për verifikim dy shtetas të huaj, të cilët dyshohen se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale”, tha Hoxha.

Kurse komandanti rajonal i Policisë së Kosovës për komunën e Prizrenit, Nexhi Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se të ndaluarit “një mashkull dhe një femër janë gazetarë: njëri shtetas i Ukrainës dhe tjetra gazetare nga Rusia”, dhe shoferi i tyre, një pjesëtar i komunitetit serb nga komuna e Shtërpces në Kosovë.

Mediat ruse citojnë kryeredaktorin e agjencisë së lajmeve Neës Front,duke thënë se gazetarët e redaksisë së tij ,“shtetas rusë janë arrestuar në Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë xhirimeve për një rrëfim mbi kishat ortodokse në Kosovë dhe bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”.

Policia në Kosovë tha se autoritetet kufitare po e trajtojnë rastin “ndërkohë që personat e ndaluar po mbahen në qendrën për të huaj deri në marrjen e vendimit për largimin e tyre nga Kosova”. /Insajderi.com