Policia e Kosovës blen 15 skuterë – harxhon mbi 80 mijë euro

Policia e Kosovës blen 15 skuterë – harxhon mbi 80 mijë euro

Policia e Kosovës ka blerë 15 skuterë të cilët do të përdoren nga policët që marrin pjesë në trajnime për përdorimin e mjeteve motorike në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.

I gjithë ky investim në skuterët e tipit “Piaggio” i ka kushtuar këtij institucioni 82.500 euro, kanë bërë të ditur zyrtarë e PK-së, për Indeksonline.

“Janë blerë gjithsej 15 skuterë. Çmimi për copë është 5500 euro”.

Këto mjete motorike janë të dedikuara për patrullim policor, fillimisht vetëm në rajonet e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa më pas mund të përdoren edhe në rajonet e tjera.

“Nuk janë në kuadër të njësive të motoristëve, por në stacione policore në njësi intervenuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Tani, për përdorimin e këtyre skuterëve po trajnohen 15 policë, por në të ardhmen priten që numri të shkojë deri në 22 policë.

I gjithë ky trajnim do të zgjasë pesë javë dhe ndahet në dy faza, ku në pjesa e parë përfshinë ligjëratat në klasë kurse tre javët e tjera në poligon. Më pas policët të cilët do ta kalojnë testin do të vazhdojnë trajnimin edhe dy javë në qytet.