Policia arreston shoferin e autobusit që voziti në trotuar

Policia arreston shoferin e autobusit që voziti në trotuar

Policia e Kosovës njofton se pas publikimit të një video-incizimi në media, ku shihet një mjet transportues udhëtarësh “autobus”, duke bërë kundërvajtje dhe duke paraqitur rrezik në trafik, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme policore.

Në lidhje me këtë videoincizim, ku autobusi i një kompanie private shihet duke bërë kundërvajtje në trafik, duke tejkaluar nga ana e djathtë në rrugën Fushë Kosovë drejtimi i Prishtinës, me saktësisht afër rrethit te kazerma “Adem Jashari” deri në hyrje të Prishtinës, duke shfrytëzuar shtegun për biçiklist dhe trotuarin për këmbësor, është arritur të identifikohet dhe të ndalohet.

“Me datë 15 dhjetor 2017, janë ndërmarrë veprimet policore nga njësitë e trafikut ku rreth orës 12:50 njësia e cila ka qenë në pikë kontrolli përball kazermës Adem Jashari, pikërisht në vendin ku është kryer kundërvajtja e kanë ndaluar autobusin “Man” me targa lokale i cili shihet në  video incizimin e publikuar që ka kryer kundërvajtjen në trafik”, njofton policia.

Bëhet e ditur se autobusin e ndaluar ka qenë duke e drejtuar vozitësi H. B. viti 1979, i cili dyshohet që ka kryer kundërvajtjen, pasi i njëjti në deklaratën e dhënë me shkrim ka pranuar se me datë 23 nëntor 2017 e ka kryer kundërvajtjen në fjalë.

Në lidhje me rastin, Policia njofton se ka kontaktuar qjyqtaren kujdestare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe është udhëzuar që rasti të procedohet në procedure të rregullt në Gjykatën Themelore – divizioni për kundërvajtje, pasi që kundërvajtësi posedon dokumente dhe është shtetas i Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Policia e Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin e treguar me Policinë e Kosovës, bashkëpunim ky i cili po ndikon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe sigurisë në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale në trafikun rrugor me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, e po ashtu mbetet e përkushtuar edhe në ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit me qytetarët.