Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e Enver Kelmendit

Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e Enver Kelmendit

Policia e rajonit të Gjakovës ka njoftuar se është arrestuar personi i cili dyshohet të ketë kryer vrasjen e Enver Kelmendit më 12 shtator.

Zëdhënësja e rajonit të Gjakovës, Lirije Podrimaj përmes një komunikate ka bërë të ditur se i dyshuari i arrestuar është 41 vjeçari nga Malisheva.

“Sot me datë 14.09.2016 pas një pune intensive operativo hetimore, Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në bashkëpunim me stacionin policor të Malishevës kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin e dyshuar. Personi i dyshuar është : N.K shqiptar/ kosovar i moshës 41 vjeçar nga komuna e Malishevës”, ka sqaruar ajo.

Po ashtu, bëhet e ditur se rasti po vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, njofton televizioni publik.

Ndryshe, me datë 11.09.2016 në ora 18:00 stacioni policor në Malishevë kishte  marrë  informatë lidhur me një person të zhdukur nga fshati Balincë Komuna e Malishevës , ndërsa me datë 12.09.2016 në ora 17:25 viktima është gjetur  pa shenja jete në automjetin e tij në afërsi të një pylli në fshatin Mirushë të kësaj komune.